Prokuroria e Durrësit u grabit natën nga persona të panjohur, që kanë vjedhur material nga zyrat e prokurorëve.
Në hyrjen kryesore të prokurorisë nuk ka shenja dhune, por pastruesja njoftoi dëmtimin e dyerve në katin e katërt dhe të pestë të ndërtesës, raporton VoA.
Policia nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes, duke kontrolluar së pari për gjurmë gishtash të autorëve dhe me pamjet e kamerave të sigurisë.
Prokuroria është rrethuar nga një numër i madh policësh, ndërsa prokurorët po kontrollojnë me imtësi se çfarë dokumentesh mungojnë.
Prokuroria e konfirmoi ngjarjen, me një njoftim, ku thuhet se persona të paidentifikuar kanë thyer natën derën e zyrës së serverit, morën pajisje që regjistrojnë kamerat e sigurisë, dhe thyen zyrat e një prokurori dhe një polici gjyqësor.
Prokuroria njoftoi se janë dëmtuar dhe janë marrë pajisje elektronike, dhe se po kryhen veprime intensive, ndërsa rojet i përkitnin një policie private.
Sipas disa të dhënave paraprake nga vendngjarja, dyshohet se objekt i këtij sulmi ka qenë zyra e prokurorit Afrim Shehu, i cili, mes shumë çështjesh të tjera, ka në duar edhe dosje hetimore për tjetërsim pronash në bregdet.
Po ashtu është grabitur edhe zyra e një oficeri të policisë gjyqësore.
Kjo është hera e dytë brenda dy javësh që materialet Prokurorisë së Durrësit grabiten nga persona të panjohur.
Postieri i këtij institucioni u grabit nga dy persona më 8 maj, ndërsa transportonte postën me dosje dhe dokumenta, që ai kishte tërhequr nga posta.
Një ditë më parë një i dënuar u arratis nga gjykata e Vlorës, sapo u dha vendimi me burgim, duke vrapuar përmes sallës së gjyqit dhe doli nga ndërtesa, ku masat e sigurisë vlerësohen si minimale nga drejtuesit e saj.
Përfaqësues të prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë kërkuar vazhdimisht përforcimin e masave mbrojtëse në institucionet e tyre dhe për sigurinë personale të tyre.