Një shtetas rumun, 19-vjeçar, është arrestuar në qytetin e Shkodrës pasi i vodhi me dhunë portofolin dhe celularin një bashkëmoshatari të tij.
Adoleshenti rumun, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, të cilin policia ende nuk e ka identifikuar, e ndaluan 18-vjeçarin në bulevardin “Zogu i Parë” dhe i grabitën me dhunë sendet personale.
Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti te 19-vjeçari celularin dhe portofolin e vjedhur, si dhe një sasi kanabisi.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tij në këtë vjedhje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte rënë pre e një vjedhjeje në bulevardin “Zogu i Parë”, organizuan menjëherë punën për kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta, u identifikua dhe u arrestua njëri nga autorët e dyshuar, D. L., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Nga hetimet rezulton se ai, në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, mbrëmjen e djeshme i kanë vjedhur me dhunë 18-vjeçarit, celularin dhe portofolin ku mbante 4000 lekë.
Gjatë kontrollit fizik, D. L. kishte me vete celularin dhe portofolin e vjedhur, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, të cilat u sekuestruan si prova materiale”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/