Site icon Telegrafi

AAK: Komisioni Parlamentar e ndryshoi tekstin e marrëveshjes së liderëve për demarkacionin, gjithçka rrezikon të kthehet në pikën ZERO

Grupi Parlamentar i AAK-së e ka akuzuar Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës se ka ndryshuar tekstin e marrëveshjes për demarkacionin të arritur gjatë fundjavës në mes kryeministrit Haradinaj, kryeparlamentarit Veseli, shefit të GP të LDK-së, kreut të Nismës, Fatmir Limaj dhe kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli.

Në reagimin e GP të AAK-së thuhet se “Kryeministri Haradinaj, Kryetari i Kuvendit, Veseli, Shefi i GP Abdullah Hoti, Kryetari Nisma-s Limaj dhe ai i AKR-së Pacolli, kanë arritur marrëveshjen e mësipërme për Demarkacionin!”

“Ndërkohë teksti i kësaj marrëveshjeje është ndryshuar në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit, që kryesohet nga LDK-ja, duke e rrezikuar kështu gjithë atë që është arritur me shumë mund për të ardhur deri në këtë pikë”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Komisioni për Punë të Jashtme procedon në Kuvend Projektligjin për demarkacionin

“Në  tekstin që ka dalë nga ky Komision, jo vetëm që është ndërruar renditja e pikave të dakorduara, por Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror, është renditur si pikë e fundit dhe jashtë Pjesës përbërëse të këtij ligji!”

GP i AAK thotë se “është e papranueshme nëse dikush në këtë fazë, me ose pa vetëdije, e rrezikon votimin e një marrëveshjeje të dakorduar”.

“Prandaj ky është alarm për të gjithë protagonistët e kësaj marrëveshjeje, që të mos bëjnë kalkulime politike, por t’i përmbahen pikë për pikë asaj! Në të kundërtën rrezikohet që gjithçka të kthehet në pikën ZERO!”, thuhet në reagimin e deputetëve të  AAK-së. /Telegrafi/

AAK ia ka bashkangjitur reagimit origjinalin e tekstit të marrëveshjes së liderëve politikë

Exit mobile version