Zëvendës sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, ka thënë se NATO-ja mbështet formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe se ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë procesin e reformës, që përfshinë formimin e forcave profesionale të sigurisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me zyrtarët e Kosovës dhe të mbështesim misionin e KFOR-it në Kosovë. Vlerësojmë se është e rëndësishme të ruhet siguria në rajon dhe të ndihmohet në formimin e ushtrisë profesionale të Kosovës”, tha Gottemoeller, para takimit të NATO-s në Bruksel.
Siç raportojnë agjencitë e lajmeve, ajo deklaroi se NATO e inkurajon fuqishëm vazhdimin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, transmeton Telegrafi.
“Ne jemi të vetëdijshëm për aspiratën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, por duhet të kalojë rrugë të gjatë drejt këtij qëllimi. Është shumë e rëndësishme që Prishtina të vazhdojë dialogun me Beogradin dhe ky të jetë e suksesshëm dhe të sjell një zgjidhje”, tha ajo.
Gottemoeller tha se KFOR-i nuk do të tërhiqet nga Kosova dhe se në Samitin e ardhshëm të NATO-s do të diskutohet për përkushtimin në vazhdimin e misionit të KFOR-it. /Telegrafi/