Telegrafi

Gorani: Rezoluta e miratuar në Kuvend, largon nga tavolina opsionin e korrigjimit të kufijve (Video)

Deputeti i PSD-së, Dukagjin Gorani, ka thënë se delegacioni shtetëror për dialog me Serbinë është i obliguar të bëjë raportime të vazhdueshme për dialogun.

Gorani në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se ka pasur iniciativa për të arritur një konsensus të gjerë mbi dialogun, por ka qenë e pamundur.

“Pasi është aprovuar në Kuvendin e Kosovës, rezoluta do të ecë përpara”, tha Gorani, përcjell Telegrafi.

Deputeti i PSD-së ka thënë se pas miratimit të Rezolutës për dialogun me Serbinë, korrigjimi i kufijve ka dalë nga opsioni.

“Është e vërtet se ka pasur faktorë ndërkombëtarë që kanë mbështetur korrigjimin e kufijve si një opsion, por pas miratimit të rezolutës sonë [PSD] në Kuvendin e Kosovës ky opsion është përjashtuar nga tavolina e bisedimeve”.

“…Me këtë rezolutë ne i bindim edhe faktorin ndërkombëtar për të mos diskutuar idenë e korrigjimit të kufijve”, tha deputeti i PSD-së.

Gorani ka thënë se pas miratimit të rezolutës, delegacioni qeveritar është i vetmi subjekt negociues.

“Sipas rezolutës bisedimet i udhëheq delegacioni shtetëror… Presidenti patjetër mund të merr pjesë në proces, por jo të negociojë”, tha Gorani./Telegrafi/