Ish-analisti Dukagjin Gorani, i cili i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, dhe që për herë të parë është pjesë e listës për deputet të Kuvendit, ka thënë se kjo është një përgjegjësi shumë e madhe.
Gorani po ashtu ka thënë se fitimi i besimit të qytetarëve nuk do të jetë i lehtë, duke marrë parasysh gjendjen e shoqërisë në këtë kohë të rëndë.
“Mendoj se, si kurdoherë më parë, përgjegjësia publike është shumë e madhe. Kjo për faktin se qeverisja e deritashme politike mban fajet më të mëdha për ngecjen e shoqërisë. Angazhimin tim e kuptoj obligim publik, por edhe rrugëtim të pritshëm personal e profesional. Kaq shumë vjet kam qenë i përfshirë në medie, këshilltari dhe analizim të shoqërisë. Kandidimi për deputet është një nder i madh që m’u mundësua nga lëvizja ‘Vetëvendosje’!. E shoh si obligim qytetar dhe përgjegjësi personale”, ka treguar Gorani për ‘Zeri’.
Ai ka thënë se si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës do të angazhohet në dekriminalizimin e drejtësisë, rimendimin e integrimit funksional të komuniteteve, transformimin e sistemit arsimor, etj.
“Besoj se pajtoheni që ka aq shumë fusha në të cilat duhet të dëshmohet përkushtim i plotë i një përfaqësuesi të qytetarëve në Kuvend. Kosova është shtet, porse nuk funksionon si i tillë. Qeverisja e saj është privatizuar, drejtësia i shërben pushtetarëve, kurse ekonomia vlen vetëm për të pasurit dhe monopolet tregtare. Këto zgjedhje janë beteja e madhe para luftës së gjatë për ta shpëtuar vendin e kapur. Për t’ia kthyer shtetin qytetarit, e jo për ta gjunjëzuar atë para pushtetit. Duhet të fitojmë, me zemër”, ka deklaruar Gorani.