Site icon Telegrafi

Google-t i ra vlera për 140 miliardë dollarë ‘shkaku’ i përgjigjes së gabuar të chatbot-it të saj

Dy ditë më parë, Google prezantoi një chatbot të ri të quajtur Bard, si një konkurrent i sistemit AI ChatGPT.

CEO i Google dhe kompania mëmë Alphabet, Sundar Pichai tha më pas se Bard është në dispozicion vetëm për disa individë që po e testojnë atë dhe se do t’i ofrohet publikut në javët e ardhshme.

“Bard përpiqet të kombinojë njohuritë me inteligjencën dhe krijimtarinë e modeleve gjuhësore. Ai mbështetet në informacionin nga interneti për të dhënë përgjigje me cilësi të lartë”, tha Pichai.

Reuters raporton se prezantimi i Bard u shndërrua në një katastrofë prej 140 miliardë dollarësh për Google pasi chatboti i AI-së shpërndau informacione të pasakta në reklamat e kompanisë.

Aksionet e Alphabet ranë 7.4 për qind dhe humbën 140 miliardë dollarë në vlerën e tregut pasi përdoruesit e mediave sociale reaguan ndaj gabimit të Bard.

Chatbot dha përgjigjen e gabuar

Në fillim të kësaj jave, Google ndau një video duke detajuar përdorimin e mundshëm të Bard dhe shpjegoi se si do t’iu përgjigjet kërkesave të përdoruesve.

Bard përshkruhet si “një shërbim eksperimental bisedor i AI që mund të ndihmojë në thjeshtimin e temave komplekse”.

Një shembull i përfshirë në video tregon një përdorues që pyet Bardin, “Për çfarë gjetjesh të reja nga teleskopi hapësinor James Webb mund t’i tregoj 9-vjeçarit tim?” – Chatbot u përgjigj duke pretenduar se teleskopi James Webb ishte përdorur për të kapur imazhet e para të planetëve jashtë sistemit diellor të Tokës.

Përdoruesit e Twitter theksuan se përgjigja është e pasaktë duke pasur parasysh se imazhet e para të të ashtuquajturve “ekzoplanete” janë marrë në të vërtetë në vitin 2004 nga teleskopi shumë i madh i Observatorit Evropian.

Gabimi i Bard doli në dritë vetëm disa orë përpara se Google të bënte prezantimin e tij në Paris.

Në fillim, drejtuesi më i lartë i Google, Prabhakar Raghavan premtoi se chatbot do t’u mundësonte përdoruesve të shfletojnë informacionin në mënyra krejtësisht të reja.

“Kjo nënvizon rëndësinë e një procesi testimi rigoroz, diçka që ne po e fillojmë këtë javë me programin tonë Testues të Besuar. Ne do të kombinojmë reagimet e jashtme me testimin tonë të brendshëm për të siguruar që përgjigjet e Bard plotësojnë standardet e larta të cilësisë, sigurisë dhe janë të bazuara në informacione të botës reale”, tha një zëdhënës i Google. /Telegrafi/

Exit mobile version