Telegrafi

Golden State po shkel edhe pa Curryn

Klay Thompson e dinte se Golden State duhet të bashkohet, se çdo lojtar duhet të rrisë nivelin, pasi ylli kryesor Stephen Curry mungon shkaku i lëndimit.

“Asnjëri nga ne nuk mund të bëjë të gjitha vetë”, kishte insistuar Thompson disa orë para ndeshjes, raporton AP.

Mirëpo ai ka shpërthyer të mërkurën mbrëma më shumë se secili, duke shënuar 27 pikë, prej tyre shtatë tresha, ndërsa kampioni në fuqi i NBA-së, Golden State, triumfoi 114:81 në shtëpi ndaj Houston Rocketsave, duke përmbyllur serinë çerekfinale të plejofit të Konferencës Perëndimore në NBA me 4:1 me fitore.

Këtë fitore të thellë Golden State e shënoi pa yllin kryesor Curry, që është i lënduar, përcjell Koha Ditore.

“Ne donim me çdo kusht të fitonim këtë ndeshje dhe nuk donim që të ktheheshim edhe një herë në Houston, pasi është udhëtim i gjatë”, ka thënë Thompson.

Draymond Green shënoi 15 pikë, ndërsa shtoi edhe nëntë kërcime e tetë asistime.

Warriorsat në gjysmëfinale të Perëndimit do të përballen me fituesin e serisë mes LA Clippersave dhe Portland Trail Blazersave. Portland kryeson në këtë seri me shifrat 3:2