Golden State Warriors ka vënë rekord në NBA me 51 pikë të shënuara në çerekun e parë të ndeshjes së të martës kundër Denver Nuggets, të cilën e fituan me rezultat 142-111.
Me pozicionim në krye të ligës dhe me një sërë suksesesh të arritura, Warriors po ashtu vunë rekord prej 10 treshesh të shënuara në dhjetëminutëshin e parë.
“Është basketboll shumë, shumë i bukur. Nuk mbaj mend ndonjë çerek të parë aq të mirë. Ishte një spektakël fishekzjarrësh”, ka deklaruar trajneri Steve Kerr.
Me paraqitjen mbresëlënëse në fraksionin e parë, pas dhjetë minutash lojë, Golden State shkoi në pushim me epërsi 51-38.
Në vazhdim të ndeshjes, Warriors nuk u ndalën deri në fund dhe dolën triumfues në këtë përballje.
Kevin Durant ishte më efektivi në çerekun e parë me 17 pikë, derisa Stephen Curry shënoi 12 pikë.
Sipas ESPN, 51 pikët e shënuara janë rekordi i dytë më i madh për Golden State të shënuar në ndonjë çerek të lojës.
Ata kanë shënuar 57 pikë në çerekun e tretë, në ndeshjen e vitit 1989 kundër Sacramento Kings.
Me këtë triumf, Golden State Warriors u dërguan mesazh konkurrentëve të Konferencës Perëndimore duke marrë kreun e tabelës dhe duke zhvendosur Denver Nuggets në vend të dytë. /Telegrafi/