Skuadrat e basketbollit po vazhdojnë me përgatitje për edicionin e ri. Takimet e para do të fillojnë javën e ardhshme, përkatësisht më 21 tetor me ndeshjet e Superkupës, ku në këtë edicion do të marrin pjesë tetë skuadrat e elitës.
Një nga skuadrat e para që ka nisur përgatitjet është Golden Eagle Ylli. Therandasit edicionin e kaluar ishin deri në finale të Kupës dhe në vendin e tretë në renditje, kur u ndërpre kampionati për shkak të pandemisë Covid-19.
Valon Bunjaku, njëri nga lojtarët më të dalluar vendorë te Ylli, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve.
“Përgatitjet i kemi filluar që dy javë dhe për momentin po shkojnë siç është më së miri. Për momentin jemi duke zhvilluar lojëra miqësore për tu njohur sa më mirë njëri me tjetrin dhe të kemi paraqitje sa më të mira në Superkupë”, është shprehur Bunjaku për faqen zyrtare të FBK-së.
Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës ka folur edhe për synimet. “Synimet janë të luajmë në çdo ndeshje për fitore, për tu shpallur kampion në të gjitha garat që do të marrim pjesë”, ka shtuar tutje Valon Bunjaku.
Golden Eagle Ylli në çerekfinale të Superkupës do të ballafaqohet me Ponte Prizrenin më 22 tetor, derisa garat e Superligës për edicionin e ri do të fillojnë më 28 tetor.