Site icon Telegrafi

Golden Eagle Ylli nëpërkëmb Borean, mundësi që Peja të mbetet në Superligë

(Foto: Getty Images)

Golden Eagle Ylli është treguar skuadër shumë e fortë për Borean, të cilën e ka mposhtur në palestrën “13 Qershori” në Suharekë me rezultat 129-67.

Ekipi nikoqir e dominoi sfidën që nga fillimi duke shënuar katër pikë më shumë në çerekun e parë (26:22) dhe 24 pikë më tepër në dhjetëminutëshin e dytë (32:8) për të shkuar në pushim me epërsi të lartë (58-30).

Ylli i shënoi 42 pikë vetëm në çerekun e tretë, kundrejt 14 pikëve të skuadrës nga Peja. Ndërsa skuadra nga Suhareka e fitoi edhe fraksionin e fundit (29:23) për të triumfuar me epërsi të përgjithshme prej 62 pikësh.

Kjo ishte ndeshja e fundit e sezonit të rregullt për këto skuadra, ndërsa për fatin e Golden Eagle Yllit tashmë dihet – ky ekip do të luajë në ‘play-off’ kundër Sigal Prishtinës.

Nga ana tjetër, mbetet e paqartë situata e Boreas, pasi gjithçka do të varet nga ndeshja e të dielës ndërmjet Kerasan Prishtinës dhe Pejës.

Në rast të fitores, Peja do ta sigurojë qëndrimin direkt në Superligën e Kosovës në basketboll, kurse Borea do të luajë në ‘play-out’ dhe e kundërta, nëse fiton Kerasan Prishtina, atëherë në barazh luan Peja, kurse Borea qëndron në Superligë.

Sa i përket Kerasanit, kjo skuadër nuk ka gjasa që të mbetet në elitën e basketbollit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version