Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafir i Ponte Prizrenit (84-76), në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 18-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Vendasit shënuan një pikë më shumë në (15:14) në çerekun e parë, me shpresën për të vazhduar me paraqitje të mirë.
Mirëpo, ishin mysafirët ata që e dominuan dhjetëminutëshin e dytë të lojës (17:29), në të cilin i shënuan 12 pikë më shumë se kundërshtari dhe shkuan në pushim me epërsi bindëse (32-43).
Me një pikë epërsi, skuadra prizrenase e fitoi çerekun e tretë të lojës (21:20), por suharekasit vazhdonin të ishin në epërsi.
Me gjithë përpjekjet në fraksionin e fundit që fitoi me dy pikë epërsi (23:21), Ponte Prizreni nuk arriti që ta kthente rezultatin në favorin e vet.
Falë këtij triumfi, Golden Eagle Ylli e ka forcuar vendin e dytë në tabelë me 30 pikë, dy më shumë se Rahoveci (me një ndeshje më pak të zhvilluar) dhe katër më pak se Z Mobile Prishtina që zhvillon derbin kundër Bashkimit.
Kjo ishte humbja e dhjetë për Ponte Prizrenin që ka regjistruar tetë fitore dhe pozicionohet në vend të katërt në tabelë. /Telegrafi/