Telegrafi

Golden Eagle Ylli fiton derbin ndaj Bashkimit

Me rezultat 93-68, Golden Eagle Ylli ka fituar në derbin lokal kundër Bashkimit që u zhvillua të dielën në Suharekë.

Skuadra mysafire shënoi dy pikë më shumë (17:19) në çerekun e parë të ndeshjes së zhvilluar në palestrën “13 Qershori”.

Mirëpo, në dhjetëminutëshin e dytë, vendasit përmbysën gjithçka duke shënuar 26 pikë, kundrejt vetëm tri pikëve të prizrenasve.

Dhjetë pikë më shumë, Ylli i shënoi në fraksionin e tretë të lojës (31:21) duke e rritur bindshëm epërsinë.

Edhe pse çerekun e fundit e fitoi Bashkimi (19:25), kampioni nuk arriti që të bënte asgjë sa i përket fituesit.

Kjo ishte fitorja e pestë e Golden Eagle Yllit që numëron edhe tri humbje dhe mban vendin e tretë në tabelë.

Për kampionin në fuqi, kjo ishte humbja e pestë dhe ka arritur vetëm tri fitore në tetë xhirot e para, ashtu që mban vendin e katërt në renditje. /Telegrafi/