Golden Eagle Ylli ka regjistruar fitore bindëse (96-64) në ndeshjen e zhvilluar si mysafir i Lipjanit, e vlefshme për javën e 20-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Mysafirët e nisën mbarë takimin duke i shënuar tri pikë më shumë në çerekun e parë të lojës (25:28).
Epërsia ishte akoma më e lartë në fraksionin e dytë (13:20), ashtu që vizitorët shkuan në pushim me dhjetë pikë epërsi (38-48).
Pas rikthimit nga pushimi, Ylli i shënoi 24 pikë në dhjetëminutëshin e tretë, ndërsa i pranoi vetëm tetë.
Me triumfin edhe në çerekun e fundit (18:24), mysafirët e përfunduan ndeshjen me 32 pikë avantazh (96-64).
Kjo ishte fitorja e 13-të e Golde Eagle Yllit këtë sezon dhe është ngritur në vend të dytë në tabelë me një pikë më shumë se Rahoveci që këtë javë pësoi nga lideri Z Mobile Prishtina.
Lipjani vazhdon të qëndrojë në zonën ‘play out’ me një pikë më shumë se Borea që është e fundit në tabelë. /Telegrafi/