Arian Agushi i njohur si Gold AG në industrinë e muzikës shqipe, ishte i ftuari i radhës në “Ky emër nuk ka nevojë për prezantim” me Artan Telakun në RTV Dukagjini.
Marrëdhënia e Gold AG me kolegët është tejet korrekte, madje i përkrah shumë ata edhe pse kjo nuk ndodh anasjelltas.
Muzika e reperit nga kolegët nuk gjen pothuajse asnjëherë suport, por është mjaftuar me dashurinë që i ka dhënë publiku.
Por, emri Gold AG lakohet shpeshherë përkrah emrave të tjerë të skenës.
Së fundmi lajm ishte deklarata e Ledri Vulës se nuk do të bënte bashkëpunim me Gold AG, teksa ky i fundit në “Ky emër nuk ka nevojë për prezantim” u shpreh se i “vjen mirë” që në fund të fundit, emri i tij i ka shkuar në mend.
“Me zor ne nuk mund të bëjmë bashkëpunim. Kam shumë kolegë që rri me ta shpesh por nuk bëjmë bashkëpunim. Nuk e di se në çfarë këndvështrimi e ka thënë, por e falënderoj që i ka shkuar në mend i pari emri im”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Por, raportet janë të ngrira me Noizyn e kjo duket se është zgjedhje e këtij të fundit, teksa marrëdhëniet janë korrekte me Getoar Selimin me të cilin dikur kishte pasur edhe mosmarrëveshje.