Me dy gola në dy ndeshje radhazi në Ligën Premier, Armando Broja ka tërhequr vëmendjen e mediave angleze, por edhe atyre botërore.
Ai së fundi është bërë pjesë edhe e statistikave të faqes së mirënjohur Transfermarkt, e cila ka publikuar numrin e golave të shënuar në vitin 2021 nga futbollistët e talentuar.
Në një listë ku bëjnë pjesë emra si Karim Adeyemi, i cili kryeson me 21 gola të shënuar në 44 ndeshje, apo të tjerë si sulmuesi i Manchester United, Mason Greenwood.
Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare renditet në vendin e pestë me 10 gola të shënuar në 30 ndeshje të luajtura në vitin 2021.
Aty përfshihen natyrisht edhe ndeshjet e golat e shënuar me Vitessen në kampionatin holandez.
Armando Broja ka lënë pas në renditje emra si Bukayo Saka, Jamal Musiala e Florian Wirtz, të cilët jo vetëm kanë shënuar më pak se sulmuesi kuqezi, por kanë edhe mesatare më të ulët në raportin gol për ndeshje. /Telegrafi/