Telegrafi

Goga Basket-Golden Eagle Ylli, gjysmëfinalja e dytë në Ligën Unike

(Foto: ligaunike.com)

Goga Basket-Golden Eagle Ylli është gjysmëfinalja e dytë në Ligën Unike që zhvillohet më 13 prill në Durrës.

Goga është skuadra e vetme nga Shqipëria e mbetur në garë, ku në çerekfinale eliminoi Tiranën, ndërsa Golden Eagle Ylli mposhti Sigal Prishtinën dhe pas shumë investimeve, duan trofeun e çmuar të Ligës Unike.

Pjesa finale e garave zhvillohet në Durrës, andaj Goga dëshiron të lë gjurmë në shtëpi.

Goga Basket është lider në Kampionatin Shqiptar me nëntë fitore në nëntë ndeshje, kurse Ylli renditet në vendin e dytë në elitën e basketbollit të Kosovës.

Ish-basketbollisti i Yllit, Griffin Ramme, është një nga lojtarët më të dalluar në skuadrën durrsake, ashtu si edhe Frenki Lilaj që po ashtu ka luajtur në Therandë dhe qendra e mirënjohur, Endrit Hysenagolli, kurse Golden Eagle ka në ekip katër lojtarë të Kosovës, Erjon Kastratin, Gëzim Morinën, Valon Bunjakun dhe Samir Zekiqin.

Goga Basket ka fituar një herë titullin dhe Kupën në Shqipëri, kurse Golden Eagle Ylli ende është pa trofe në Kosovë.