Site icon Telegrafi

Goditet me plumba vetura e TV Syrit në Zveçan, demolohet e Kohës

Një veturë e ekipit të Televizionit Syri është goditur nga plumbat në Zveçan, ndërsa vetura e Kohës është demoluar tërësisht.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën të ditur se redaksia i ka treguar AGK-së, që e gjithë ngjarja ka ndodhur përderisa ishin duke u kthyer të hënën nga Zveçani.

“Përderisa vetura ishte duke kaluar në mesin e disa grupeve të serbëve të maskuar, bashkë me kameramanët Bledar Rexha dhe Butrint Bejra, kemi dëgjuar diçka  të çuditshme, dhe i kemi thënë njëri-tjetrit, se vetura jonë është goditur. Pas 10 minutave, kemi ndaluar dhe e kemi parë, që jemi goditur me plumb, i cili ka kaluar pranë afër njërit nga kameramanët”, ka thënë redaksia e TV Syrit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur tejet i shqetësuar me situatën në të cilën kanë raportuar kolegët gjatë ditës së hënë në komunat veriore.

“Këto pamje janë dhe ju bëjmë thirrje organeve të rendit t’i hetojnë sa më parë në mënyrë që autorët të sillen para drejtësisë.

Gjithashtu, ju kërkojmë të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në asnjë formë të mos rrezikojnë sigurinë e tyre fizike për hir të raportimit”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, një veturë e Grupit KOHA është demoluar tërësisht nga huliganët në Zveçan, mbrëmjen e së hënës.

“Ekipi që ka shkuar për të raportuar të martën ka parë gjendjen e veturës”, shkruan Koha.

Në të njëjtën gjendje, është gjetur edhe vetura e mediumit T7, e mbuluar me simbole nacionaliste serbe, xhama të thyer, e goma të shpërthyera. /Telegrafi/

Exit mobile version