Një grup kriminal që merrej me organizimin dhe drejtimin e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme drejt vendeve të Bashkimit Evropian është goditur nga Policia e Shtetit.
Gjashtë shtetas janë vënë pranga dhe janë sekuestruar shuma parash, armë zjarri pistoletë, automjete e prova të tjera.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë 9-mujore kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi, Shqipëri deri në përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi, Kosovën, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal janë dokumentuar rreth 4 raste të trafikimit të personave nga ky grup dhe sipas të dhënave këta persona merrnin nga 100-300 euro për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës.
Njoftimi i plotë i policisë
Finalizohet operacioni policor “Stafeta”.
Goditet një grup kriminal që merrej me organizimin dhe drejtimin e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e mesme drejt vendeve të BE-së.
Vihen në pranga 6 shtetas.
Sekuestrohen shuma parash, armë zjarri pistoletë, automjete e prova të tjera.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga Lindja e Mesme drejt vendeve të BE-së, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordimin nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një hetimi gati 8-mujor ka finalizuar me sukses operacionin “Stafeta”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm në fushën e trafikimit të personave.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal të vitit 2019 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale dhe ndalimi i shtetasve: A. O., 36 vjeç, M. I., 30 vjeç, A. V., 39 vjeçe, A. B., 20 vjeçe, të katërt banues në Tiranë, si dhe A. P., 21 vjeç dhe M. P., 19 vjeç, të dy banues në Korçë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë 9-mujore kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi, Shqipëri deri në përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi, Kosovën, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal janë dokumentuar rreth 4 raste të trafikimit të personave nga ky grup dhe sipas të dhënave këta persona merrnin nga 100-300 euro për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës.
Shtetasit A. O., A. V. dhe M. I. janë kapur në flagrancë në afërsi të rrethrrotullim të TEG-ut duke transportuar me automjetet 5 emigrantë të paligjshëm nga Maroku.
Gjatë këtij operacioni policor janë mundur të sigurohen prova materiale të përfitimeve të këtyre personave. /Telegrafi/