Site icon Telegrafi

GLPS reagon ndaj deklaratës së Haxhiut rreth “zarfit të dyshimtë” nga Serbia: Ministrja ka shkelur 6 nene të Kushtetutës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka akuzuar prokurorinë në vend pasi pushoi hetimet për një pronë milionëshe në lagjen “Veternik” në Prishtinë, pasi pranoi një zarf nga Serbia përmes rrugëve jozyrtare.

“Rasti me tokën në lagjen “Veternik” të Prishtinës dhe kjo që ndodhi me zarfin që sipas raportimeve del të jetë dokument i falsifikuar nga Beogradi, me të cilin dokument, Prokuroria Speciale mbylli hetimet është vërtetë shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Republikën e Kosovës. Pra, në mënyrë të falsifikuar i merret prona qytetarit dhe në mënyrë të falsifikuar nga Serbia po ashtu mbyllet rasti në dëm të qytetarit”, shkroi ministrja në Facebook.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Grupi për Studime Juridike dhe Politike. GLPS thekson se “rrethanat e rastit për të cilin ka vepruar (po, deklarata është veprim) Ministria e Drejtësisë, janë irelevante për qëllimet e këtij reagimi, përjashtimisht, mjafton të ceket se në rastin në fjalë, palë kontestuese nuk është asnjë organ i pushtetit ekzekutiv, pra as Ministria e Drejtësisë”

“Rrjedhimisht, shpjegimi i vetëm për ndërhyrjen flagrante të Ministrisë së Drejtësisë mund të jetë: (i) interes personal dhe i kundërligjshëm në këtë çështje, fshehur nën petkun e pozitës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, dhe në çdo rast edhe (ii) mungesë e njohurive elementare mbi rendin juridik të shtetit sipas të cilit do të duhej të vepronte Ministria.

Kështu, pjesa e deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë se “[d]rejtësia ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i forti e i pushtetshmi” na tregon se Ministria në fakt e konsideron vehten, si të pushtetshme, rrjedhimisht ka zgjedhur se kush janë të dobët e kush të fortë, dhe se (gjithnjë sipas kësaj logjike kundërkushtetuese) ndarja e drejtësisë duhet t’i përshtatet këtyre vlerësimeve të Ministrisë. Kjo mendësi përbën precedent të rrezikshëm, dhe është e papajtueshme me integritetin dhe njohuritë minimale të kërkuara për të udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

GLPS ka shtuar se cilido të jetë motivi, me këtë veprim, Ministria ka ndërhyrë në mënyrë flagrante në drejtësi, dhe atë në dy drejtime: në drejtësinë si sistem, dhe drejtësinë si proces për subjektet.

“Kështu, Ministria e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën e Republikës në 6 mënyra, më saktësisht duke shkelur e cenuar Nenet: 3.1; 3.2; 4.1; 4.5; 7; 92.2”, thuhet mes tjerash në reagim.

Ndaj deklaratës së ministres Haxhiu ka reaguar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Prokuroria Speciale ka informuar se rasti për të cilin është deklaruar ministrja në fjalë, nuk është hetuar dhe nuk ka qenë në punë asnjëherë në Prokurorinë Speciale, prandaj deklarimi i tillë i ministres Haxhiu, është i pavërtetë dhe tendencioz. /Telegrafi/

Exit mobile version