Telegrafi

Gliha flet për largimin e Mujës te Shqipëria: Nuk kishim asnjë mundësi t’i ndryshonim mendjen

Arbnor Muja ka qenë një temë diskutimi në muajt e fundit te Përfaqësuesja e Kosovës.

Sulmuesi anësorë ishte grumbulluar në ndeshjet e muajit mars nga ish-përzgjedhësi Alain Giresse, por nuk kishte luajtur asnjë minutë dhe ai u largua në drejtim të Shqipërisë.

Muja tani është grumbulluar nga kuqezinjtë dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Sylvinho për ndeshjet e muajit shtator.

Lexo po ashtu Gliha flet para dy përballjeve të muajit shtator: Duhet të jemi gati edhe të vdesim në fushë, pasi luajmë për ekipin kombëtar

Trajneri i Kosovës, Primoz Gliha ka folur për largimin e Mujës te Shqipëria, duke thënë se kanë tentuar ta bindin lojtarin të qëndroj, por nuk kishin asnjë mundësi t’ia ndërronin mendjen.

“Futbollistë si Muja janë shumë të rëndësishëm dhe nuk duhet t’i lëmë të na ikin, ndaj po marrim të gjitha masat, që të mos përsëriten raste të tilla”.

Lexo po ashtu Tifoz i Barcelonës që në vegjëli, tani do ta sfidojë në Ligën e Kampionëve - Arbnor Muja flet për shortin dhe ftesën nga Shqipëria

“Në rastin e Mujës kemi folur me të dhe nuk kishim asnjë mundësi t’i ndryshonim mendjen”, u shpreh trajneri slloven i Kosovës.

Muja ka thënë ditë më parë se ka qenë vendim i tij personal të ndryshoj ekip kombëtar pasi nuk është ndier i vlerësuar te Dardanët dhe ka zgjedhur t’i përfaqësoj kuqezinjtë. /Telegrafi/