Sot do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës VIII-të të Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 14 shkurtit.
Siç merr vesh Telegrafi, kandidati i LVV-së për kryetar të Kuvendit të Kosovës do të jetë Glauk Konjufca.
Ndryshe, në njoftimin dërguar mediave nga Kuvendi i Kosovës është bërë i qartë edhe rendi i ditës.
Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
Dhënia e betimit të deputetëve,
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”.
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës ka sqaruar se kush e kryeson seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Telegrafi.
Në nenin 9 pika 1 të kësaj Rregullore thuhet se punimet e mbledhjes konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër i legjislaturës i ndihmuar nga deputeti më i ri sipas moshës. Kjo udhëheqje parashihet të vazhdoj deri në zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në rast se ata mungojnë ose refuzojnë kryesimin e mbledhjes, atëherë angazhohen deputetët të cilët sipas moshës vijnë menjëherë pas tyre.
Pas konstituimit të Kuvendit, i hapet rruga formimit të Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Kurti.
Ndryshe, kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse. /Telegrafi/