Telegrafi

Gjysmë-vjetori i parë drejt përmbylljes, nxënësit në Maqedoni ende pa libra

Gjysmë vjetori i parë shkollor po përmbyllet me mungesë të teksteve mësimore ndërsa ato libra që posedojnë nxënësit thuajse janë të shkatërruara. Me këtë problematikë po përballen thuajse të gjitha shkollat, por çdonjëra prej tyre ka gjetur mënyra të ndryshme që nxënësit të mos humbin në mësime. Alsat ka qëndruar në shkollën fillore “Bedri Tahiri” të fshatit Sfillare, komuna e Sarajit ku mungojnë libra në lëndë të caktuara por të njëjtat janë kompensuar me fotokopje të siguruara nga shkolla.

“Nga lënda ime e gjeografisë kemi problem vetëm me klasat e gjashta, nuk kemi libra të mjaftueshëm që mund të kenë nxënësit. Në klasat tjera, në bashkëpunim me prindërit edhe me këshillin e prindërve të shkollës kemi vendos që ti fotokopjojmë edhe ti furnizojmë nxënësit me libra që mos të kemi mungesë të librave. Mendoj, se kemi mbërri në atë nivel që shumë pak libra na mungojnë në të gjitha lëndët tjera, jo vetëm në lëndën e gjeografisë. Zgjidhja e fundit që mundeshim ne vet të marrim masa, si shkollë”, deklaroi Medina Selimi, mësuese e gjeografisë.

Ndërsa po zhvillohej ora e gjeografisë, nxënësit huazonin librat nga njëri tjetri për të marr shënimet e duhura. Madje, nxënësit tregojnë se mungesë më e madhe librash ka në lëndët: gjeografi, histori, kimi dhe të tjera.

Nga Ministria e Arsimit thanë se tashmë është përmbyllur procedura për furnizimin publik për pajisjen me libra të shkollave fillore dhe të mesme, autorësinë e të cilave e ka kjo ministri. Nga dikasteri i arsimit gjithashtu thonë se janë në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes kornize dhe marrëveshjeve të veçanta me operatorët të cilët janë zgjedhur si ofertuesit më të mirë të këtij furnizimi publik.