Site icon Telegrafi

Gjysmë milion maska donacion nga Jordania, do t’u shpërndahen qytetarëve në të gjitha komunat

Ministri i Shëndetësisë, Amrend Zemaj në konferencën për media ka njoftuar se ka shpërndarë resurse të reja në kuadër të luftimit të pandemisë COVID-19.

Zemaj theksoi se janë angazhuar 200 profesionistë shëndetësorë në funksion të menaxhimit të pandemisë.

Ai theksoi se është hapur edhe procesi i licencimit të laboratorëve privatë për testim të COVID-19, ku deri më tani kanë pranuar disa aplikacione.

“Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë resurse, 200 profesionistë në funksion të menaxhimit të pandemisë, në QKUK dhe spitale të përgjithshme. Kemi hapur Kemi hapur procesin e licencim për testime dhe kemi pranuar disa aplikacione, të cilat do të shqyrtohen nga bordi i ri për licencim. Jemi në proces të sigurimit të pajisjeve të nevojshme për decentralizimin e testimeve molekulare PCR. Kam zgjeruar kapacitetin duke formuar bordin këshillëdhënës për COVID-19 që përbëhet nga doajenë të mjekësisë. Vendimet e reja do të bazohen nga opinionet e diskutimet e këtij bordi dhe masat e reja që jemi në përgatitje në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së. Prioritet është pajisja e qytetarëve e institucioneve me masa mbrojtëse. Komunave do t’u shpërndahen më shumë se gjysmë-milionë maska dhe së bashku me Qeverinë do të përkujdesemi të jenë në duart e qytetarëve tanë”, ka thënë Zemaj.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Besnik Tahiri ka treguar se kanë pranuar një donacion nga Jordania, ku janë gjysmë milion maska të cilat do t’u shpërndahen qytetarëve në të gjitha komunat.

“Gjendja nuk është më e mira, mirëpo ajo që mund të konfirmoj në emër të Qeverisë është se përkushtimi është maksimalisht në luftimin e COVID-19 si nga ana e ministrit Zemaj ashtu edhe nga ana e Qeverisë. Ajo që dua të njoftoj është se kam pranuar një ndihmë nga Jordania, ndihmë kjo që ka ardhë fal angazhimit të prof. Arianit Shehu dhe bashkëpunimit që kam pasur. Kanë ardhur gjysmë-milioni maska dhe gjell dezinfektues. Do të shpërndahen sipas nevojës. Do të ketë kriter të shpërndarjes në gjithë Kosovën. Do të bëjmë shpërndarjen në 38 komuna në bazë të numrit të banorëve”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka shtuar se qytetarët nuk janë duke i zbatuar masat, gjersa ka bërë apel që të kenë kujdes pasi sipas tij kjo është një betejë serioze. /Telegrafi/

Exit mobile version