Makina e vjetër, po konsiderohet si “gjetja më e rëndësishme” në vitet e fundit
Kjo Porsche e ndryshkur, pritet të shitet për më se gjysmë milioni euro edhe pse nuk punon, transmeton Telegrafi.
Veturën e prodhuar më 1955, një shtëpi ankandesh në Floridë të Shteteve të Bashkuara, e ka vlerësuar si “gjetjen më të rëndësishme në vitet e fundit”, megjithëse për dekada të tëra nuk është ndezur.
Makina e ndryshkur, nuk është vozitur për 45 vite, pasi në vitin 1970 nuk ia doli të kalonte testin e sigurisë së frenave.
Me anë të këtij 356A 1500 GS Carrera Coupe, Porsche ka krijuar urën mes makinave sportive dhe atyre të dedikuara për pistat e garave.
Ekspertët e automobilizmit, e kanë konsideruar si klasikun më të mirë nga Porsche, si dhe një ndër makinat më ekzotike që është parë në rrugë gjatë viteve të 50-ta.
Kjo veturë do të vihet në ankand me motorin origjinal, që duhet të riparohet, njëjtë sikur edhe shumë pjesë të tjera.
Derisa ishte në funksion, makina me 1.5-litra mund të arrinte shpejtësinë prej zero deri në 100 kilometra në orë për 8.7-sekonda, ndërsa kishte shpejtësi maksimale prej 200 kilometrave në orë.
Sipas të dhënave të fabrikës, kishte dalë nga prodhimi me katër korrik të vitit 1957, me përfundime nga metali ngjyrë gri dhe tapiceri lëkure.
Deri në vitin 1973 ka pasur pronarë të ndryshëm, derisa është braktisur në një garazh në Shtetet e Bashkuara, ku u la për disa dekada me radhë. /Telegrafi/