Telegrafi

Gjysma e deputetëve në konflikt interesi

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit sot ka shqyrtuar raportin me amendamente në Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka propozuar një amendament të këtij ligji që një zyrtar i lartë të mos ushtrojë më shumë se një pozitë zyrtare, pasi deri tani ka shumë zyrtarë të lartë që ushtrojnë prej tre deri pesë vende të punës.

Për nenin 12 të ligjit aktual, ajo kërkoi të riformulohet ose vetëm të shtohet paragrafi shtesë që asnjë zyrtarë i lartë të mos ushtrojë më shumë se një pozitë publike.

Ajo ka shtuar se shumë herë mungon kuorumi në seanca të Kuvendit, pasi disa deputetë janë edhe profesorë.

“Veç po dua me sqaruar, më së pari s’ka kuorum në seancat e kuvendit, po nisem prej deputetëve, për shkak se deputetët janë duke ligjëruar nëpër universitete. Andaj, duhet me ju dhënë fund këtyre gjërave, tash në vazhdimësi përmenden standardet evropiane e të tjera, por kur vjen puna bërë diçka revolucionare që po e përmend Korab Rexhepi, ne themi jo se Kushtetuta nuk na lejon, pa ju referuar në asnjë nen Kushtetutës së Republikës”, ka thënë Haxhiu.

Edhe Hajdar Beqa, anëtar nga PDK, ka thënë të mos bëhen ndryshime shtesë të nenit 12 për projektligjin në fjalë. Ai ka shtuar se ideja ka qëllim të mirë, por mund të jetë shkelje e Kushtetutës.

“Unë konsideroj se sot si Komision duhet t’i votojmë amandamentet që janë me përkrahje të Komisionit, me gjithë respektin për deputetët në fjalë në këtë rast Albulenën dhe Kurteshin, por unë propozoi që ky amandament mos ta marrë përkrahjen e Komisionit, por të shkojë në seancë pa përkrahjen e Komisionit”, ka thënë Beqa.

Ndërsa Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, ka kërkuar sqarime se për cilat pozita publike bëhet kushtëzimi me nenin 12.

Sipas tij, nëse ka një ligj të punës që rregullon orarin e punës, një zyrtar nuk mund të punojë mbi 8 orë në ditë. Ai tha se për deputetët ose ministër nuk mund të kufizohet, sepse këto nuk janë pozita, por mandate.

Sherifi tha se me këtë rregull të ri që po kërkon Albulena Haxhiu, më shumë se gjysma e deputetëve aktual janë në konflikt interesi.

“Nuk besoj që do të kalojë propozimi, sepse gjysmën e deputetëve i ke në konflikt të drejtpërdrejtë me këtë rregullim të ri, se votën time do ta kesh pro, edhe në Komision edhe në parlament, ndërsa do t’i kesh kundër bash më shumë se gjysmën e deputetëve”, ka thënë Sherifi.

Edhe Shkumbin Demalijaj, ka kundërshtuar këtë propozim të Haxhiut, por ka thënë që një zyrtar të ushtrojë detyra shtesë, por vetëm me një pagë, derisa Sami Kurteshi nga Vetëvendosje ka thënë se sektori publik duhet të pastrohet nga njerëz, të cilët mbajnë shumë pozita të larta publike.

Ai tha se përkrah idenë e deputete Haxhiut, edhe pse mund të sjellë probleme.

Mirëpo, pas gjithë këtij debati, raporti ka marrë përkrahjen e shumicës së anëtarëve të Komisionit, por jo edhe për ndryshimin e nenit 12.

Po ashtu Komisioni shqyrtoj raportin me amendamente në Projektligjin nr. 06/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-034, mirëpo ky projektligj nuk mori përkrahjen e Komisionit, që do të thotë se është proceduar për seancë pa përkrahjen e Komisionit.