Gjyqtari i përballjes në mes Deontay Wilderit dhe Tyson Furyt, që rezultoi me triumfin e këtij të fundit, Kenny Bayless ka folur për herë të parë pas rimeçit.
Ai ka treguar se çfarë i kishte thënë Bronze Bomberit me të përfunduar raundi i gjashtë, derisa në të shtatin u ndërpre ballafaqimi nga anëtari i stafit të tij, Mark Breland që hodhi peshqirin në ring.
Bayless ka zbuluar se ai i ishte afruar Wilderit dhe i kishte thënë se nëse nuk i jep shenja se mund të vazhdojë meçin, atëherë është i detyruar ta ndërpres atë.
“Ishte një ndërprerje e mirë e meçit sipas meje, pasi në minutat e pushimit pas raundit të gjashtë unë iu afrova atij dhe i thash se duhet të më tregojë diçka në mënyrë që mos t’i jepja fundit”, ka thënë ai.
“Nëse nuk më tregoni diçka, atëherë do ta ndërpres meçin. Fillimisht ne i afrohemi një boksieri dhe e pyesim se sa gishtërinj kemi, nëse nuk arrin t’i identifikojë, atëherë jemi të detyruara të ndërpresim takimin”.
“Deontay është një luftëtar, kur e pash peshqirin në ring, ai mu afrua dhe më tha: ‘Përse e ndalova meçin?’ I tregova se nuk isha unë por stafi i tij – mirëpo isha afër të bëja atë gjë”, ka shtuar më tej Bayless.
Wilder kishte lëndime të rënda në buzë dhe në vesh, andaj edhe stafi i tij nuk dëshironte të rrezikonte më shumë. /Telegrafi/