Telegrafi

Gjyqtari milioner ndan drejtësinë në ndeshjen ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë

Kombëtarja shqiptare do të luajë kundër Maqedonisë në Strumicë, ku do ta zhvillojë ndeshjen e radhës për kualifikueset e Botërorit 2018.

UEFA ka përcaktuar suedezin Jonas Eriksson për të vendosur drejtësinë në fushën e lojës mes këtyre kombëtareve. Ai do të ndihmohet nga asistentët Mattias Klasenius dhe Daniel Warnmark, ndërkohë që gjyqtar i katërt do të jetë Andreas Ekberg.

43-vjeçari e ka nisur karrierën e tij si arbitër në vitin 1994, ndërkohë që në vitin 2002 mori stemën e FIFA-s. Suedezi që tashmë ka edhe famën e një multimilioneri, ka gjykuar shumë ndeshje të rëndësishme, transmeton Top Channel.

Në gusht të vitit 2013, ai arbitroi sfidën mes Chelseat dhe Bayern Munichut në Superkupën e Evropës të atij viti, ndërsa në vitin 2014 ishte i pranishëm në Botërorin e Brazilit.

Më 6 qershor të vitit 2015, Eriksson ishte arbitri i katërt i finales së Ligës së Kampionëve, mes Barcelonës dhe Juventusit, të luajtur në Berlin.

Sfida mes Maqedonisë dhe Shqipërisë do të luhet mbrëmjen e të martës, në stadiumin Mladost që ka një kapacitet prej 6.500 vendesh.