Telegrafi

Gjyqtarët nga Kosova ndajnë drejtësinë në “Elite Round” për Kombëtaret U-17

Gjyqtarët nga Kosova vazhdojnë të jenë pjesë e ngjarjeve të rëndësishme në kuadër të organizimeve të UEFA-s.

Gjatë këtij muaji gjyqtarët kryesorë si Genc Nuza dhe Besfort Kasumi, së bashku me asistentët Bujar Selimaj dhe Fatlum Berisha do të jenë të angazhuar në ndeshjet e “Elite Round” për kombëtaret e grupmoshës U-17.

Besfort Kasumi do ta ndajë drejtësinë në ndeshjet e Grupit 8 që zhvillohen në Portugali, prej 23 deri më 29 mars.

Ai do të jetë gjyqtar kryesor në ndeshjen e parë Bullgari – Finlandë dhe në ndeshjen Republikë e Irlandës – Finlandë, si dhe gjyqtar i katërt në duelin Portugali – Finlandë. E në të tri këto ndeshje asistent do të jetë Fatlum Berisha.

Ndërkaq, Nuza do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Angli-Luksemburg në kuadër të Grupit 5 që zhvillohet në Luksemburg, më 29 mars, me asistimin e Bujar Selimajt dhe norvegjezit Ole Andreas Hauksen, derisa do të jetë gjyqtar i katërt në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Luksemburg – Francë.

Nuza ishte përcaktuar të jetë gjyqtar kryesor edhe në ndeshjen Francë – Rusi, por kjo e fundit është përjashtuar nga garat për shkak të agresionit në Ukrainë.

Delegimi i gjyqtarëve të Kosovës nga UEFA në një fazë të tillë të kualifikimeve të kombëtareve U17 dëshmon punën dhe vlerësimin e mirë që ata kanë marrë në paraqitjet e deritashme në garat ndërkombëtare.