Site icon Telegrafi

Gjyqi ndaj Trumpit: Ish-avokati i tij e pranon se ka gënjyer shpesh për ta ndihmuar ish-presidentin amerikan

Michael Cohen, ish-avokati i Donald Trump, ka pranuar se vitet e kaluara shpesh ka gënjyer për të ndihmuar ish-presidentin amerikan dhe për të mbrojtur familjen e tij.

Në një seri pyetjesh, avokati mbrojtës i Trump, Todd Blanche, gjatë një seance në një gjykatë të New York-ut, u përpoq ta portretizonte Cohen si dikë që nuk mund t’i besohet, si dikë mashtrues dhe të dyshimtë.

Kjo pasi Cohen kujtoi gënjeshtrat që i ka thënë duke theksuar atë për ndërtimin e Kullës Trump në Moskë, gjë që nuk u realizua kurrë.

Cohen tha se gënjeshtrat në atë kohë kishin për qëllim ta ndihmonin Trumpin.

Kur Blanche e pyet Cohen se nëse e dinte që po gënjente, ai përgjigjet shkurt: “Po”.

Në një tjetër rast, ai thotë se ka gënjyer një gjykatës federal në një gjyq ku akuzohej gruaja e tij, Laura.

Gjithashtu, ai tregon se ka gënjyer edhe hetues të ndryshëm në mënyrë që të mos hetonin veprimet e tij dhe të Trumpit, shkruan VOA, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Donald Trump përballet me procesin e parë penal gjyqësor ndaj një ish-presidenti amerikan

Ndryshe, Cohen është dëshmitari i 19-të dhe i fundit kundër Trump. Ai thuhet të jetë pjesërisht i motivuar nga hakmarrja pasi Trump nuk e emëroi atë në një pozicion më të lartë kur e mori përsipër presidencën.

Bëhet e ditur se gjatë seancës Blanche ka luajtur edhe një video ku Cohen feston padinë e Trump dhe dëgjohet duke thënë se shpreson që ai të burgoset.

Siç raportohet, avokati aktual po përpiqet ta nënvlerësojë dëshminë e Cohen se ish-presidenti ka ofruar një pagesë prej 130 mijë dollarëve për aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniles.

Ish-avokati thuhet se shpesh regjistronte telefonata të fshehta, pa u treguar njerëzve. Në përgjithësi, Cohen e pranoi që në telefonin e tij gjenden 95 telefonata të regjistruara fshehurazi.

Duke akuzuar drejtpërdrejt Cohen për gënjeshtra, Blanche i tha: “Mund ta pranoni”.

“Jo zotëri, nuk mundem”, iu kundërpërgjigj Cohen.

Ndërkohë, gjyqi pritet të fillojë pas disa ditësh, pas diplomimit të djalit të Trump në Florida.

Nëse ish-presidenti amerikan shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri në katër vjet burg. /Telegrafi/

Exit mobile version