Telegrafi

Gjykimi për “Tankun” do të vazhdojë më 14 maj, do të thuhen fjalët përfundimtare

Gjykimi për lëndën e Prokurorisë Speciale “Tanku” do të vazhdojë më 14 maj me thënien e fjalëve përfundimtare. Në seancën e sotme e cila zgjati pothuajse gjashtë orë, mbrojtja kërkoi përjashtimin e prokurorëve të PSP.

Pas kërkesës së avokatëve të mbrojtjes për përjashtimin e prokurorëve specialë, gjykatësja Dobrilla Kacarska propozoi që të vazhdojë diskutimi me prezantimin e provave të cilat mbrojtja i kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat janë dorëzuar në gjykatë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në fund të seancës së sotme mbrojtja tërhoqi propozimet për përjashtimin e prokurorëve, ndërsa i akuzuari Nikolla Gruevski tha se ka treguar se nuk e ka kryer veprën dhe për atë nuk është i detyruar të paraqesë mbrojtjen pasi vlerëson se nuk ka nevojë.

Në gjykatë sot të pranishëm ishin të akuzuarit Nikolla Gruevski dhe Gjoko Popovski.

Në lëndën “Tanku” e akuzuar është edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, por procedura për të është ndarë, për shkak të shtatzënisë së rrezikuar.

Gruevski, Jankulloska dhe Poposki në këtë lëndë akuzohet për blerjen e Mercedesit luksoz në vlerë prej 600 mijë euro./Telegrafi/