Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është veçuar procedura gjyqësore për ish – deputetin Haxhi Shala, i akuzuar për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme të 2021-ës për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Veçimi i procedurës ndaj Shalës është bërë me propozim të mbrojtësit të tij, avokatit Xhevdet Smakiqi, me arsyetimin se ish-deputeti Shala gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë ku po zhvillohet një tjetër procedurë penale ndaj tij.
Në këtë rast për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës po akuzohen ish-deputeti Haxhi Shala, Arbër Krasniqi, Përparim Përvetica, Ilirjan Hyseni dhe Sahit Mataj.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve: Jehona Hysenaj, Burim Ahmetaj, Jetmira Zukaj dhe Majlinda Hykolli.
Dëshmitarja Jehona Hysenaj, u deklarua rreth një audio-incizim të telefonatës që kishte pranuar vëllai i saj, i akuzuari Ilirjan Hysenaj, e që sipas saj ishte kërcënuar por që nuk e din nga kush vinte ajo telefonatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E pyetur nga prokurori i rastit, Ilir Morina se perse nuk e kishte raportuar rastin në polici, dëshmitarja Hysenaj u deklarua se nuk kishte për qëllim që atë audio ta përdorte.
Ndërsa, në vijim në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua dëshmitari, Burim Ahmetaj i cili në vitin 2021 mbante pozitën e kryeshefit ekzekutiv te sekretariatit të KQZ-së.
Ahmetaj para trupit gjykues shpjegoi se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ishin personel diku 500 apo 600 persona të angazhuar me tre ndërrime për numërimin rezultateve të zgjedhjeve.
Ndërsa, i pyetur lidhur me atë pse i akuzuari Arbër Krasniqi kishte punuar me ID kartelë të një personi tjetër, dëshmitari Ahmetaj theksoi se aty ka qenë personel i madh ndërsa personalisht nuk ishte i njoftuar.
Tutje, i njëjti sqaroi personi për të cilin ishte punuar kjo ID kartela nuk ishte paraqitur në QNR, ndërsa i akuzuari kishte ardhë më vonë në këtë qendër.
Më pas, gjatë kësaj seance në cilësinë e e numërtueses së votave u dëgjua edhe dëshmitarja, Jetmira Zukaj. Ajo sqaroi se secila tavolinë punonte në grupe, nga 4 apo 5 persona, ku secili prej tyre kishte nga një detyrë.
“Brenda një grupi kemi qenë 4 apo 5 persona në një tavolinë, secili nga një detyrë. Dikush me hap fletushkën me numëru votat, dikush me kalu një pjesë tjetër me shenu në një fletore rezultatet. Une nuk më kujtohet se çka kam pas për detyrë saktësisht për arsye se secili e kem kry nga një punë dhe kem kalu në punën tjetër në të njejten tavolinë”, tha ajo.
Në fund, para trupit gjykues dëshminë e saj e dha edhe dëshmitarja Majlinda Hykolli e cila deklaroi se qëndron pranë deklaratës të dhënë në prokurori.
Ndryshe më 13 nëntor 2023, gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi, pasi që të njëjtit kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Prandaj ndaj Halilajt, më 14 nëntor 2023 edhe është bërë shpallja e aktgjykimit, ku u dënua me 1 vit burgim me kusht për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, kurse ndaj Gashit ende nuk është bërë shpallja e aktgjykimit. Në anën tjetër, procesi gjyqësor ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, po vazhdon.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala.