Site icon Telegrafi

Gjykatësi amerikan urdhëron Google të hapë dyqanin e aplikacioneve për rivalët e kompanisë

Një gjykatës federal në SHBA ka vendosur që Google duhet të lejojë aplikacionet Android të prodhuara nga kompanitë rivale të teknologjisë në dyqanin e aplikacioneve Google Play për tre vjet duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Ndryshimi ishte mes disa mjeteve juridike të urdhëruara nga gjyqtari James Donato në një çështje të ngritur kundër Google nga Epic Games, prodhuesi i videolojës Fortnite.

Por, Google thotë se do të apelojë kundër vendimit dhe do të kërkojë një pauzë për zgjidhjet e propozuara.

Bëhet e ditur se në dhjetor, një juri mbajti anën e Epic, e cila thotë se Google “mbyti” konkurrentët duke kontrolluar shpërndarjen e aplikacioneve dhe pagesat në telefonat Android.

“Ndryshimet do të vënë në rrezik privatësinë dhe sigurinë e konsumatorëve, do ta bëjnë më të vështirë për zhvilluesit të promovojnë aplikacionet e tyre dhe do të reduktojnë konkurrencën në pajisje”, tha Google në një deklaratë.

Ndërkohë, disa ekspertë ligjorë e kanë përshëndetur vendimin si një sfidë kuptimplotë ndaj dominimit të një numri gjigantësh të teknologjisë.

Ndër tjera, vendimi kërkoi që Google të vërë katalogun e saj të aplikacioneve të disponueshme për dyqanet konkurruese.

“Kjo nuk është diçka që ligji antitrust do të kërkonte normalisht”, tha Mark Lemley, profesor në Shkollën Juridike të Stanfordit.

Ndryshe, Google kishte argumentuar se dyqani i aplikacioneve Play funksionon në një peizazh konkurrues, duke përmendur konkurrencën me prodhuesin e iPhone Apple, i cili gjithashtu u padit nga Epic Games në vitin 2020.

Ai rast përfundoi me një vendim të gjykatës së apelit që Apple nuk ka monopol në lojërat telefonike.

Urdhri i fundit është goditja më e fundit ligjore e pësuar nga Google në vitet e fundit për arsye konkurrimi. /Telegrafi/

Exit mobile version