Gjykata Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.SH, për shkak të dyshimit të bazuar se shiste mish të prishur.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Me datë 16.01.2019, në kohë të pacaktuar, në fshatin Trestenik, Komuna Pejë, së bashku me të pandehurin R, e kanë blerë lopën e sëmurë nga i pandehuri M.B në shumë prej katërqind euro, me qëllim që ta vënë në qarkullim mishin duke e ditur se është i sëmurë.
Pas marrjes së informacionit policia shkon në bastisje në shtëpinë e të pandehurit dhe njoftojnë Inspektorët Komunal të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ku me atë rast konstatojnë se në shtëpinë e tij gjenden 1,089 kg mishra të përziera të cilat kanë qenë të destinuara për konsumim publik.
Me këto veprime i pandehuri S.SH, dyshohet se si bashkë-kryerës, ka kryer veprën penale prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq, kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.