Avokati Tomë Gashi, ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e tij për hedhjen e aktakuzës ndaj aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Çlirim Gërbeshi.
Gashi po ashtu ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar edhe kërkesat për Gëzon Kastratin dhe Korab Korçën.
Gashi ka njoftuar se që të tre nga Prokuroria Speciale e Kosovës ishin akuzuar për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, transmeton Telegrafi.
“Aktakuza ndaj aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Çlirim Gërbeshi dhe ish aktivistëve Gëzon Kastratit e Korab Korça është mbyllur përjetësisht sot dhe ata kurrë nuk do të shkojnë në gjykim për këtë vepër terroriste”.
Fatin e njëjtë nuk e pati shoku i tyre Astrit Dehari i cili u vra në qendrën e paraburgimit në Prizren me dyshime për veprat penale të terrorizmit, pa kurrfarë baze ligjore, siç pa bazë ishin akuzuar deri më sot :Çlirim Gërbeshi, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça”, ka thënë avokati Gashi në shkrimin e bërë në Facebook. /Telegrafi/