Site icon Telegrafi

Gjykata Themelore e Ferizajt, fituese e çmimit ‘Gjykata më Transparente’

Anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarë të gjykatave, gjyqtarë, përfaqësues të shoqërisë civile, dhe udhëheqës të institucioneve tjera të drejtësisë, u mblodhën sot në konferencën “Rritja e Transparencës së Gjyqësorit” të organizuar nga BIRN dhe FOL me mbështetjen e Programit të USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP).

Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, tha se gjyqësori është shtylla e demokracisë për secilin vend demokratik, ku bashkëpunimi, transparenca dhe llogaridhënia e gjyqësorit është qenësore për funksionimin e shtetit të së drejtës, duke i mirëpritur të gjitha monitorimet dhe raportimet nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat ofrojnë zgjidhje dhe rekomandime prakike, thuhet në njoftimin për media.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, unë si Kryesues dhe Gjykatat, vazhdimisht po punojmë që ta përmirësojmë transparencën, llogaridhënien, qasjen në drejtësi, dhe ta ngrisim besimin e qytetarëve në gjyqësor. Mes tjerash, ne bashkëpunojmë me këto organizata përmes memorandumeve të bashkëpunimit dhe marrim parasysh rekomandimet e tyre, me të cilat kemi qëllimin e njëjtë, përmirësimin e transparencës dhe shërbimeve nga ana e gjykatave dhe Këshillit Gjyqësor”, tha Çoçaj.

Drejtoresha e Zyrës së USAID për Demokraci dhe Qeverisje, Christine Davis, tha se ndjehet shumë e lumtur me këto të gjetura lidhur me rritjen e transparencës në gjyqësor, duke theksuar si sukses rritjen e numrit të aktgjykimeve të publikuara.

“Gjyqësori nuk është vetëm transparent por edhe llogaridhënës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Davis.

Në këtë konferencë u prezantuan të gjeturat lidhur me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës dhe si rezultat, Gjykata Themelore e Ferizajt u shpërblye me çmimin “Gjykata më Transparente”, në vlerësim të publikimit të 1,245 aktgjykimeve nga janari 2016 deri në prill 2019. Kryetari i kësaj Gjykate, Bashkim Hyseni, pas pranimit të çmimit deklaroi para se ky çmim i dedikohet të gjithë stafit të gjykatës së Ferizajt.

Në total, të gjitha gjykatat dhe degët e tyre gjatë kësaj periudhe, kanë publikuar mesatarisht rreth 10,186 aktgjykime apo rreth 250 aktgjykime në muaj. Gjithashtu, u publikuan të gjeturat e para rreth monitorimit të ankesave disiplinore ndaj gjyqtarëve, broshurat rreth monitorimit të komisioneve të KGjK-së, si dhe të gjeturat nga monitorimi i takimeve të KGJK-së, rreth së cilave u hapën diskutime mes pjesëmarrësve. /Telegrafi/

Exit mobile version