Telegrafi

Gjykata njeh vendimet e kuvendit të grupimit të Sali Berishës, shkarkohen strukturat drejtuese të PD-së

Gjykata e Tiranës ka njohur sot Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të mbajtur më 11 dhjetor me iniciativë të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duke njohur edhe ndryshimet e statutit të partisë të votuara nga ky kuvend.

Me njohjen e këtij vendimi, janë shkarkuar strukturat drejtuese të PD-së, siç edhe u kaluan më votë dhe u miratuan gjatë Kuvendit të 11 dhjetorit.

Ndryshimet në statutin e PD-së, të vendosura në këtë Kuvend, janë legjitime sipas Gjykatës. Statuti i ri i PD-së dhe simbolet e reja janë miratuar.

Lexo po ashtu Berisha: Ka vetëm një PD, të hapur për të diskutuar me çdo anëtar

Aktualisht PD-ja është e ndarë në disa grupime dhe pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, po bëhen përpjekje për bashkim edhe pse palët nuk janë ulur ende në bisedime.

Kuvendi i dhjetorit i PD-së u mbajt në stadiumin “Air Albania” me drejtues Sali Berishën, mirëpo u cilësua si jo legjitim nga ish-kreu i PD-së Basha.

Më 18 mars, Gjykata njohu ndryshimet statutore të Kuvendit të PD-së në 17 korrik që u mbajt në pallatin e Kongreseve, ku u morën disa vendime. /Telegrafi/