Site icon Telegrafi

Gjykata në veri në tetor, pritet dekretimi i 34 gjykatësve

Emrat e 34 gjyqtarëve serbë që pritet të punojnë në Gjykatën Themelore në veri të Kosovës, i janë dërguar për dekretim presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, thonë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor thotë se aktualisht është në fazën finale të përfundimit të intervistimit të kandidatëve që kanë konkurruar për gjyqtarë.

Numrit i përgjithshëm i gjyqtarëve që do të pranohen që të punojnë në veri të Kosovës është paraparë të jetë 48 gjyqtarë.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht janë duke u intervistuar edhe një pjesë e kandidatëve që kanë aplikuar për gjyqtarë, për të arritur numrin e plotë prej 48.

Ai tha se deri në fillim të muajit tetor pritet të funksionalizohet Gjykata në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila do të punojë, sipas tij, me ligjet e Kosovës.

“Na mbetet të kryejmë procesin e intervistimit të këtyre kandidatëve. 22 veta kanë aplikuar për 14 pozita dhe [pastaj] i procedojmë propozimet tek presidenti për dekretim. Çështja e objektit është zgjidhur dhe nëse gjithçka shkon sipas planit mendohet që në muajin tetor të funksionalizohet”, tha Idrizi.

Gjykatat në veri të Kosovës u riaktualizuan gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe një marrëveshjeje me të cilën parashihet shuarja e gjykatave paralele serbe në veri të vendit, e cila u arrit në Bruksel, në vitin 2015.

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se puna rreth funksionalizimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë është në përfundim e sipër.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, tha për Radion Evropa e Lirë së Qeveria e Kosovës është e interesuar që sa më parë të fillojë dhe të vejnë në funksion gjykatat dhe prokuroritë në atë pjesë të Kosovës. Ai tha se gjatë muajit tetor do të përfundojnë pothuajse të gjitha çështjet.

“Tash jemi në fazën finale të përgatitjeve për të përmbyllur këtë proces dhe për të filluar, sepse vërtetë është në interesin e qeverisë dhe qytetarëve të asaj pjese që të ketë një sistem të gjykatave edhe të prokurorive plotësisht funksionale në atë pjesë”, tha Dushi.

Gjykatat u bllokuan në vitin 2008, pas një sulmi nga një grup protestuesish serbë, që kundërshtuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kalimin e Gjykatave nga kontrolli i administratës ndërkombëtare, UNMIK, tek autoritetet e reja të Kosovës.

Gjykatësit shqiptarë, që nga viti 2008, u detyruan të punojnë në Gjykatën e Vushtrrisë, në jug të vendit.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ali Kutllovci, tha se gjyqtarët vazhdojnë të punojnë në kushtet të papërshtatshme për punë në Gjykatën e Vushtrrisë.

Ai tha se ende nuk kanë ndonjë informatë se kur do të kenë mundësi të shkojnë në Mitrovicë në objektet ku kanë qenë para disa viteve.

“Ne ende nuk kemi kurrfarë informimi apo vendimi konkret nga askush lidhur me ecurinë dhe procesin për shkuarje. Ne as marrëveshjen e Brukselit zyrtarisht nuk e kemi në tavolinë, se çka parasheh ajo”, tha Kutllovci.

Kutllovci tha për Radion Evropa e Lirë se deri me tash arsyeja e vetme që është dhënë nga ndërkombëtarët është mungesa e sigurisë ne veri.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, deri në arritjen e marrëveshjes, nuk ka funksionuar në tërësi dhe për vite të tëra, gjykatat e prokuroritë në veri të vendit nuk kanë shqyrtuar asnjë prej lëndëve.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për Radion Evropa e Lirë tha se prolongimi i funksionalizimit të gjykatave në veri të Kosovës për vite me radhë është bërë nga Institucionet e Kosovës.

“[Vonesa] konfirmon që edhe Qeveria e Kosovës nuk është duke kryer obligimet e veta në mënyrë që të ofrojë kushtet për integrim të pjesës veriore në strukturat e sistemit të drejtësisë në Kosovë”, tha Miftaraj.

Me marrëveshjen e arritur ndërmjet dy kryeministrave, atij të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është paraparë që një Gjykatë Themelore dhe një Prokurori Themelore të funksionojnë për rajonin e Mitrovicës.

Lëndët penale do të shqyrtoheshin në veri, kurse ato civile në jug të qytetit. Kryetari i Gjykatës do të jetë serb, kurse kryeprokurori shqiptar. /REL/

 

Exit mobile version