Telegrafi

Gjykata në Prishtinë i dënon me 10 vjet burg tre të akuzuarit për detyrim

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarve A.B, O.B dhe S.B, të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për veprën penale Detyrimi.

Sipas njoftimit, i akuzuari A.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje  prej 4 vite, të cilin dënim do ta mbajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej datës 23.12.2015 deri me datë 08.02.2018 dhe nga data 06.05.2019 deri me datë 31.01.2020”, thuhet në komunikatën për media të gjykatës.

I akuzuari O.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite, të cilin dënim do ta mbajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej datës 23.12.2015 deri me datë 09.11.2017”.

I akuzuari S.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite, të cilin dënim do ta mbajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej datës 23.12.2015 deri me datë 09.11.2017”.

“Bazuar në nenin 60 të KPK-së, të akuzuarit A.B i konfiskohet vetura e tipit “Chevrolet Suburban”, të akuzuarit O.B i konfiskohet vetura e tipit “Audi” A4 si dhe të akuzuarit O.B i konfiskohen të hollat në shumë prej 10.100 € (dhjetë mijë e njëqind euro). Obligohen të akuzuarit A.B, O.B dhe S.B që të paguajnë secili veç e veç shpenzimet e procedurës penale dhe paushallin gjyqësorë në shumën prej nga 300 (treqind) euro, të gjitha në afatin prej 15 ditëve, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa, të dëmtuarit AKP, M.T, K.T, H.SH, A.H udhëzohen në kontestin e rregullt juridiko civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike

“Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”. /Telegrafi/