Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) në Shqipëri ka lënë ditën e sotme në fuqi masën e sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi i është lehtësuar masa e sigurimit, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Detajet i dha për mediat pas përfundimit të seancës, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokuatj i cili u shpreh ndër të tjera, që nuk ka vend për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj kreut të “Rithemelit” i cili duhet të paraqitet përpara policisë gjyqësore dy herë në muaj.
Mbrojtësi ligjor i Berishës përsëriti qëndrimin e mbajtur prej tyre qysh në fillim, se procesi është tërësisht i motivuar politikisht dhe se organet e reja të drejtësisë janë nën kontrollin e kreut të qeverisë Edi Rama. /Telegrafi/