Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncesionin e sterilizimit 8 vite më parë, Ilir Rrapaj.
Ish-zëvendësministri do të përballet me drejtësinë me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për “mashtrim me pasoja të rënda”.
Gjithashtu u lanë në fuqi masat edhe për 6 personat e tjerë të akuzuar për këtë çështje.
Gjykata vendosi që drejtuesit ekonomikë dhe juridikë të ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjanaj të hetohen me masën e arrestit të shtëpisë, ndërsa rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata dhe tre anëtarët e tjerë të komisionit, Petref Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi të hetohen në masën e detyrimit të paraqitjes. /Telegrafi/