Site icon Telegrafi

Gjykata Kushtetuese po merret seriozisht me Ligjin e Pagave

Prej tri javësh Avokati i Popullit ia dorëzoi Gjykatës Kushtetuese kërkesën për vlerësim të Ligjit të Pagave të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Por, Gjykata tha se i duhet koha e mjaftueshme për ta shqyrtuar kërkesën dhe për të marrë vendim.

“Kjo kërkesë është parashtruar më 7 prill 2023 dhe aktualisht është duke u proceduar. Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këtë rast. Si çdo kërkesë tjetër të parashtruar nga institucionet, Gjykata është duke e trajtuar edhe në këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftoheni me kohë të gjitha palët dhe opinion”, ka thënë Gjykata.

Por, pothuaj të gjitha sindikatat që u ankuan tek Avokati i Popullit për Ligjin e Pagave me padurim po presin një vendim të Gjykatës. Shumica prej tyre thonë se ligji përbën shkelje kushtetuese.

Përfaqësuesi i Shoqatave Sindikale të Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, thotë pret që ligji të shfuqizohet tërësisht ose në tërësi.

“… Ne presim që dispozitat të cilat mendojmë që janë diskriminuese ti shfuqizojmë dhe pastaj qeveria ti procedoj në Kuvend dhe në mënyrë që të kemi një plotësim ndryshim dhe të eliminohen dispozitat diskriminuese… I mbetet Gjykatës Kushtetuese varësisht nga volume i tyre i punës dhe presim që Brenda këtij viti kjo lëndë kjo lëndë të marr epilog dhe që ky ligj I cili ka dispozita diskriminuese apo të shfuqizohet plotësisht ky ligj siç ka ndodhë edhe në ligjin e vitit 2019“, tha Sefaj, raporton RTV21.

Kryetari i organizimit sindikal në Prokurorinë Themelore, ka fajësuar posaçërisht Ministrinë e Brendshme e cila sipas tij nuk ka marra parasysh propozimet e tyre:

“…administrate prokuroriale, gjyqësore ka shumë specifika që veçojnë apo dallojnë prej administratës në qeveri për shkak të disa parimeve që ne patjetër duhet ti respektojmë prandaj ne  i kemi arsyetu dhe argumentu pse kjo administratë duhet të trajtohet pak ma e veçantë… çdo gjë ka qenë në rregull deri në momentet e fundi por pastaj ata kanë hyrë në mënyrë shabllonike, pasi që zyra e Avokatit të Popullit I ka mbledhë shqetësimet tona tash Gjykata Kushtetuese e ka në dorën e saj dhe nuk dihet se kur”, tha Burim Neziri, kryetar i organizimit sindikal në Prokurorinë Themelore.

Një sindikatë megjithatë nuk ka pranuar që t’i bashkohet sindikatave tjera për ta dërguar në Gjykatë, Ligjin, Por Sindikata e Infermierëve thotë se nuk pret asnjë gjë nga Qeveria për çështjen e pagave të tyre

“… nuk presim reflektim dhe ku është për me i ndalë pagesat dhe benefitet i kanë ndalë ku është për me i shtu nuk janë shtu… dhe e vetmja rrugë në këtë kohë janë dokumentet nën sqetull edhe jashtë vendit”, tha Mentor Sejdiu, kryetar i Sindikatës së Infermierëve në QKUK.

Exit mobile version