Site icon Telegrafi

Gjykata Kushtetuese pezullon deri më 29 maj dekretin e Thaçit për Qeverinë e re

Gjykata Kushtetuese vendosi sot, masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Thaçi dekretoi Avdullah Hotin të enjten, menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Njoftimi për dekretimin e Hotit erdhi pasi presidenti Thaçi më 22 prill, konstatoi se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, nuk e kishte shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, andaj këtë të drejtë ia kaloi LDK-së, si partia e dytë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Vendimi i Gjykatës

“TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;

TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 1 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KO 72/20 dhe KO 61/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

Vendim për masë të përkohshme

Lënda: KO 72/20

Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë edhe masë të përkohshme mbi Dekretin, “në mënyrë që të parandalohen dëmet e pariparueshme për palën dhe institucionin”. Më 1 maj 2020, brenda afatit të përcaktuar, Gjykata ka pranuar komente lidhur me masën e përkohshme nga palët në vijim: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Arban Abrashi dhe deputeti Shkëmb Manaj.

Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:

II.TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;

TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;

Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar”, thuhet në vendim.

LDK kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë së re, që pritej të mbahej të shtunën e 2 majit.

Pas pezullimit të dekretit seanca do të anulohet.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar të premten se partia e tij do të respektojë çdo vendim që merr Kushtetuesja për këtë çështje.

“Në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese ne nuk do të lëvizim në Kuvend fare, por do ta presim që ajo ta marrë vendimin përfundimtar, ne nuk do ta shkelim asnjë rast as një procedurë të Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Mustafa. /Telegrafi/

Exit mobile version