Një ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës, është dorëzuar kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe këshilltarët.
Pas reagimeve të shumta nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, mediave dhe shoqërisë civile, si dhe pas vendimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), kryeministri Haradinaj është dorëzuar ndaj vendimit të tij, duke kërkuar që të pezullohet përkohësisht ky vendim deri sa të merret një vendim nga Gjykata Kushtetuese, duke e quajtur “vlerësim të paqëndrueshëm dhe të ndikuar politikisht”.
Lidhur më këtë çështje, drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Veton Dula për Telegrafin tha se kjo kërkesë tashmë është proceduar dhe regjistruar në Gjykatën Kushtetuese.
“Kërkesa do të shqyrtohet dhe vendimi do të merret në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Dula.
I pyetur për një afat kohor se kur do të merret vendimi, ai tha se nuk ka afat ligjor për dhënien e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. /Telegrafi/