Site icon Telegrafi

Gjykata Komerciale ndalon punimet për ndërtimin e “Rrugës A”, Rama: Vendim politik i ndikuar nga LVV

Shkalla e parë e Gjykatës Komerciale ka marrë vendim për të bllokuar punimet e ndërtimit të “Rrugës A”.

Lajmin e ka bërë të ditur vet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një shënimi në Facebook.

“Të dashur qytetarë, sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema)”, ka njoftuar Rama.

Ai thotë se vendimi është i ndikuar politikisht duke përmendur emrin e gjyqtares Vlora Pacolli që është motra e Fitore Pacollit-deputete e LVV-së.

“Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli”.

Rama shpreson që shkalla e dytë e gjykatës të merr tjetër vendim dhe të mos cenojë interesin publik.

“Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”.

I pari i Prishtinës ka kërkuar edhe ndërhyrjen e OSHP-së.

“Kërkojmë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si palë direkte në këtë procedurë që të ankohet ndaj këtij vendimi që cenon interesin publik. Ndërsa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që në kuadër të kompetencave që ka, të sigurohet që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj”, ka vijuar tutje Rama./Telegrafi/

Exit mobile version