Telegrafi

Gjykata egjiptiane shqipton 75 dënime me vdekje

Gjykata e Egjiptit ka shqiptuar 75 dënime me vdekje për personat e dyshuar që akuzoheshin për kampin protestues në Kajro në vitin 2013, i cili më pastaj u hoq me dhunë.

Burime brenda gjyqësorit thonë se gjykata i drejtoi të dënuarit tek autoriteti suprem fetar, tek Myftiu i Madh, i cili do të duhet të shqyrtojë dënimet e shqiptuara me vdekje me akuzat për vrasje dhe bllokim të rrugëve.

Ligji i Egjiptit parasheh që para verdikit të plotfuqishëm për dënimet me vdekje, rastet t’i dërgohen për shqyrtim Myftiut të Madh, ndonëse vendimi i tij nuk është detyrues, përcjell Telegrafi.

Gjykata ka vendosur 8 shtatorin si datë për hyrje në fuqi të vendimit.

Aktualisht, në Egjipt ka 30 të dënuar me vdekje, për të cilët ka një vendim përfundimtar, ndonëse nuk dihet numri i atyre për të cilët ka një dënim me vdekje të shkallës së parë. Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se bëhet fjalë për qindra të tillë. /Telegrafi/