Gjykata sot edhe një herë do të tentojë që t’ia dorëzojë vendimin Nikolla Gruevskit, për mos shtyrjen e vuajtjes së dënimit me dy vite burg. Nëse gjykata konfirmon se Gruevski ikë që ta merr vendimin, do të kërkojë arrestimin e tij nga MPB ose lëshimin e fletarrestit.
Pasi Gruevski ta merr vendimin do të duhet menjëherë të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nëse gjykata vendos se Gruevski ikë nga vendimi, të martën hapat e ardhshëm do të jenë që të arrestohet ose të jepet urdhër për arrestim, pasi kjo është praktika gjyqësore”, thonë nga gjykata.
Më herët si mundësi përmendej që vendimi Gruevskit t’i jepet në seancën gjyqësore për rastin “Titanik”, por ajo në vend për sot është caktuar për të mërkurën.
Përndryshe, të premten korrierët e Gjykatës Penale menjëherë pas vendimit të Këshillit Penal tre herë shkuan në shtëpinë e Gruevskit për t’ia dorëzuar vendimin, por nuk arritën ta gjejnë, ndërsa ish-kryeministri prej atëherë nuk është paraqitur as në rrjetet sociale./Telegrafi/