Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sipas një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, sot në orën 10:00 është dashur të paraqitet në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij.
Mirëpo deri në këto momente kur po raportojmë, Kurti nuk është parë duke hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale.
Ndërkaq sipas një njoftimi të MASHTI-t është bërë e ditur se kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci do të marrin pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti fëmijësh në qytetin e Gjilanit, pikërisht në orën 10:00.
Telegrafi ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse Kurti do t’i përgjigjet urdhrit të gjykatës, mirëpo deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Gjithashtu nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk kanë dhënë informacione se si do të veprohet më tej në rast se Kurti nuk do të paraqitet për intervistim.
Ndërkaq media të shumta janë parë para Prokurorisë Speciale.
Gjykata Themelore në Prishtinë ditë më parë njoftoi se ka lëshuar urdhër që obligon Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi kryeministri nuk është paraqitur në dy ftesa që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.
Vetë kryeministri ka thënë disa herë se nuk i ka refuzuar ftesat, por insiston që dëshminë të japë në zyrën e tij në Kryeministri. Zyra e tij ka dërguar kërkesë në Gjykatën Themelore, duke i kërkuar këtij institucioni ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri./Telegrafi/