Telegrafi

Gjykata e Lartë e Suedisë ndaloi ekstradimin e një gazetari në Turqi

Gjykata e Lartë e Suedisë bllokoi të hënën ekstradimin e një gazetari turk të akuzuar nga Ankaraja për pjesëmarrje në një përpjekje për grusht shteti të vitit 2016.

Gazetari Bulent Kenes (53) akuzohet se ka marrë pjesë në tentativën e grushtit të shtetit si simpatizant i klerikut turk, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon për orkestrimin e grushtit të shtetit nga Shtetet e Bashkuara, të cilën gjë ai e mohon.

“Në këtë rast, është e qartë se ka disa pengesa për ekstradimin”, njoftoi Gjykata e Lartë suedeze, raporton dw.

Akuzat janë pjesërisht të lidhura me akuza politike dhe ekziston rreziku i persekutimit të bazuar në pikëpamjet politike të personit të përndjekur dhe “prandaj ai nuk do të ekstradohet”, tha gjykatësi Petter Asp.

Finlanda dhe Suedia kërkuan pranimin në anëtarësimin e plotë në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës dhe kjo kandidaturë duhet të miratohet nga të 30 anëtarët e Aleancës, duke përfshirë Turqinë, e cila kushtëzoi dritën jeshile me një sërë kërkesash.

Ankaraja kërkon bashkëpunim më të mirë nga Suedia dhe Finlanda për ekstradimin e shtetasve turq që kanë marrë azil dhe të cilët Ankaraja i konsideron terroristë.

Kenes, ish-redaktori i të përditshmes në gjuhën angleze, Today’s Zaman, u shpreh i kënaqur me vendimin dhe akuzoi “regjimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan” për “fabrikim të akuzave”.

“Unë jam gazetar, jo terrorist”, tha Kenes, por ai është i bindur se regjimi turk do të përpiqet në çdo mënyrë të mundshme t’i “bëjë jetën e tij të mjerë”.

Ankaraja, Stokholmi dhe Helsinki nënshkruan një memorandum në samitin e NATO-s në qershor, por Erdogan ka kërcënuar vazhdimisht se do të bllokojë ratifikimin e nevojshëm për anëtarësimin në NATO.

Ekstradimi i militantëve kurdë apo personave që janë kundërshtarë të regjimit të Erdoganit dhe kanë marrë azil në Suedi është një çështje e ndjeshme mes Ankarasë dhe Stokholmit.

Qeveria suedeze thekson se gjyqësori është i pavarur dhe ka fjalën e fundit në vendimin e ekstradimit. /Telegrafi/