Site icon Telegrafi

Gjykata e Apelit reagon për dënimin e Salianjit: Vendimi është marrë në unanimitet

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u dënua të enjten e 16 shtatorit me një vit burg.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e dënoi deputetin demokrat për “kallëzim të rremë.

Gjykata e Apelit ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e dhënë, ku në një prononcim të shkurtër për media bën me dije se vendimi për të pandehurit e çështjes “Babale” u mor me unanimitet të plotë.

“Nisur nga disa kërkesa lidhur me vendimin e djeshëm, çështja ndaj të pandehurve Ervin Salianji, etj…, ju njoftojmë se vendimi është marrë në unanimitet”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata e Apelit vendosi të enjten të lerë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Ervin Salianjin dhe dënimin e tij me 1 vit burg për dosjen e njohur si “Babalja”. Deputeti demokrat u dënua në 2019-ën nga Shkalla e Parë në lidhje me nje audio përgjim, ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë ne trafikun e kanabisit.

Në atë kohë, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe shpalli fajtorë të 4 të pandehurit, mes të cilëve Fredi Alizotin, që inskenoi zërin e Geron Xhafës, Albert Veliun, i njohur ndryshe si “Babalja”, gazetarin Jetmir Olldashi, si dhe deputetin Ervin Salianji. Tashmë në bazë të Kushtetutës, i nderpritet menjëherë mandati Salianjit dhe nga ana tjetër ligji i dekriminalizimit i heq të drejtën të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2025 dhe në zgjedhjet e ardhshme.

Exit mobile version